Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se nuk ka informacion për ndonjë marrëveshje të arritur në mes Serbisë dhe një kompanie amerikane për shitjen e Trepçë, përveç asaj që është thënë në media.
Krasniqi këto komente i bëri të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Neve nuk kemi informacione për këtë çështje, kemi informacione të marra nga mediat që për mua, për të dhënë mendimin nga pozita të cilën e kam nuk mjafton. Këto pyetje duhet t’i drejtohen qeverisë si përgjegjësja kryesore edhe me kushtetutë për ekzekutimin dhe mbrojtjen e pasurisë se qytetarëve dhe Kosovës në përgjithësi”, tha ai.
Sipas Krasniqit, Serbia përderisa e ka bërë këtë marrëveshje me kompaninë amerikane për shitjen e Trepçës, është thirr sipas tij, në marrëveshje e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, për të cilin ai shprehet se nuk është në dijeni se çka përfshin.
“Përndryshe është cenim i rëndë që i është bërë shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndryshe, ditë më parë konsorciumi amerikan “New Generation Power” nga shteti Ilinois, raportohet se ka nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Minierave dhe Resurseve Natyrore të Serbisë për bashkëpunim biznesi dhe teknik në kombinatin e Trepçës në veri të Mitrovicës.