LAJME
  • 28.07.2014, 00:30
    Namazi falet ne ora 6:00

    Me fat festa e Fitër-Bajramit!

    Besimtarët myslimanë, si në Kosovë ashtu edhe në vendet tjera gjithandej botës, sot festojnë Fitër Bajramin, festë kjo që pason muajin e shënjtë të Ramazanit. Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Manifestimi fillon në ora 4:50 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Adem ef. Hoxha. Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 6:00. Atij do t’i prij, Sabri ef. Bajgora-kryeimami i BIK-ut . Hytben e Fitrër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava i cili do t’u drejtohet opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë. Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, ditën e parë të festës, më 28 korrik 2014, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë së BI të Kosovës nga ora 9:00-12:00,transmeton indeks./fishmedia/
  • LAJME
    27.07.2014, 20:50

    Kosovari plagos dy gra në një dasmë në Kumanovë

    Janë plagosur dy gra nga armë zjarri, si rezultat i gjuajtjes me arëm në një gazmend familjar në Kumanovë, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Për incidentin në fjalë tanimë dyshohet një person, i cili është identifikuar dhe menjëherë është arrestuar. Gazeta “Lajm” mëson se bëhet fjalë për 19-vjeçarin D.A. nga Kosova, i cili kishte gjuajtur nga armë zjarri, në një gazmend familjar, në rrugën “Steno Stankovski” në Kumanovë. Si pasojë e gjuajtjes, janë plagosur dy femra, prej të cilave njëra menjëherë është dërguar në Qendrën urgjente në Shkup, kurse tjetrës i është ofruar ndihma e parë mjekësore në Spitalin e Kumanovës. Policia ka dalë ne vendim e ngjarjes dhe i ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore për ndricimin e rastit.
    [ më shumë ]
  • LAJME
    27.07.2014, 16:36

    Dalin pagat për shërbyesit e administratës publike

    Ministria e Financave (MF) ka njoftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, respektivisht të gjithë shërbyesit e administratës publike dhe ata që marrin pagë nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, se e ka bërë sot ekzekutimin e pagave për muajin korrik . “Për shkak të Festës së Fitër Bajramit, ekzekutimi i pagave është bërë disa ditë më herët nga ekzekutimi i rregullt. Me këtë rast, ministri i Financave Besim Beqaj të gjithë besimtarëve mysliman të Republikës së Kosovës u uron festën e Fitër Bajramit, duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi dhe gjitha të mirat”, është thënë në njoftim të MF-së./epoka e re/
    [ më shumë ]
  • LAJME
    27.07.2014, 15:24

    Grabovci: LDK-AAK-NISMA janë bërë bllok për ta bllokuar Kosovën

    Gjykata Kushtetuese do të kthejë ligjshmërinë në Kuvendin e Kosovës. Ajo do të konstatoi shkeljet që kanë ndodhur në seancën plenare që nuk u konstituua Parlamenti. LDK-AAK-NISMA janë bërë bllok për të bllokuar Kosovën. Kjo bllokadë duhet larguar ose vendi shkon në zgjedhje. PDK është e gatshme për bashkëpunim me të gjitha partitë që kanë marrë besimin e qytetarëve. Por, secili duhet ta dijë se pozita e Kryeministrit e Kryeparlamentarit nuk është fontanë dëshirash. Nënkryetari i PDK’së, Adem Grabovci, flet për Express. Express: Cilat janë pritjet e PDK’së në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës? A. Grabovci: Pritjet do të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në përputhje me ligjet, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe ne besojmë se do të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës. Problemi kryesor gjatë seancës, kanë qenë shkeljet që ka bërë Kryesia e vjetër gjatë përcaktimit të rendit të ditës. Dihet se rendi i ditës në seancën konstituive, që është më tepër seancë solemne, është rend i ditës që përcaktohet me Rregulloren e Kuvendit. Ajo rregullore është dashur të respektohet. Mirëpo, dihet se Kuvendi nuk i është përmbajtur Rregullores së punës dhe shkelja e Rregullores ka shkaktuar gjendjen që e kemi. Ajo seancë ka mundur t’i ngjasojë çfarëdo por jo seance konstituive. Prandaj, jam i sigurt dhe i bindur se Gjykata Kushtetuese do të del me vlerësimin e vet. Rangimin e fuqisë partiake nuk e bëjnë individët sipas qejfeve të tyre dhe sipas dëshirave për të qenë Kryeministër, Kryetar Parlamenti, President apo Ministër, por është qytetari i Kosovës ai që e përcakton dhe e bën rangimin e partive politike. PDK tashmë është e qartë se është partia e parë, ndërsa, të paqartë e kanë vetëm ata të cilët kanë humbur arsyen për shkak të dëshirës së madhe për të qenë në pushtet edhe atëherë kur sovrani nuk ua jep besimin për të qeverisur me vendin. Por, kjo kategori dëshiron që të imponohet dhe normalisht kur humbë arsyen atëherë nuk zgjedhin edhe mjetet për të realizuar dëshirat e tyre. Express: Megjithëkëtë, në seancën konstituive u pa edhe një fakt se PDK nuk i ka numrat për të votuar Kryetarin e Parlamentit dhe as Qeverinë? A. Grabovci: Shpeshherë edhe si Shef i Grupit Parlamentar në mandatin e kaluar nga gazetarët më kanë pyetur se a i kemi apo jo numrat në Kuvend dhe unë ju kam thënë se asnjëherë s’e kemi problemin e numrave. Edhe tash po të them me bindje të plotë se PDK nuk e ka problemin e numrave. PDK e ka vetëm një problem dhe ai është problemi i ndërtimit të institucioneve stabile, funksionale dhe vendimmarrëse. Për të qenë këto institucione të tilla, normalisht, se duhet bashkëpunuar me të gjithë ata të cilët u është dhënë besimi i qytetarëve të Kosovës për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës, për t’i përfaqësuar qytetarët dhe për të marrë vendime të dobishme për ndryshimin kualitativ të jetës së qytetarëve. Të garantoj se vetëm numrat nuk do të na mungojnë. Express: Por, u pa në seancën konstituive se në mungesë të numrave, në mungesë të kuorumit PDK nuk mundi të votojë për Kryeparlamentar? A. Grabovci: Ne nuk jemi të interesuar të bllokojmë institucionet sepse blloku është vetëm për të bllokuar dhe fatkeqësisht kjo po ndodh pas një procesi të mrekullueshëm zgjedhor. Pas një mesazhi jashtëzakonisht pozitiv që qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit e kanë çuar para botës demokratike. Kemi dëshmuar se Shteti ka kapaciteti të mjaftueshme për të qeverisur me vetveten. Fatkeqësisht, pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, pas këtij mesazhi shumë pozitiv ndodhi kjo po tentohet të devalvohet kjo e arritur nga individë të caktuar. Po e përsëris se nuk kemi të bëjmë më asnjë subjekt por kemi të bëjmë me individë. E them me përgjegjësi të plotë se vet subjektet të cilat janë barrikadaur apo përfaqësuesit e tyre të cilët janë barrikaduar në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Ligjin, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës nuk e kanë përkrahjen as të vet partive të tyre. Sepse unë kam komunikim të vazhdueshëm dhe kam kolegë shumë të mirë në të gjitha partitë politike. Ata e mendojnë të kundërtën. Qëndrimet e tyre përputhen plotësisht me angazhimet e PDK’së. PDK asnjëherë nuk është udhëhequr nga politika përjashtuese por udhëhiqet mbi bazën e arsyes që nënkupton politikën e integrimit, bashkëpunimit për të mirën e qytetarëve të vendit. Express: Si e shihni zgjidhjen e këtij problemi kur po dihet se LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje nuk po dëshirojnë të bëjnë koalicion me PDK’në? A. Grabovci: Çështja është në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata është organi i vetëm që bën interpretimin dhe ne do ta presim këtë interpretim. Edhe nëse 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk mund të jenë mbi Kushtetutën. Nuk mund të jenë mbi Gjykatën Kushtetuese. Është e vërtetë se 81 deputetë kanë të drejtën për të marrë iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës, për hartimin e një Kushtetute krejt të re, mirëpo, përderisa kemi këtë Kushtetutë, kjo është obligative për të gjithë. Pikërisht, fuqi e demokracisë qëndron në respektimin e Kushtetutës, në respektimin e institucioneve dhe në respektimin e ligjeve. Express: Meqë po dihet se PDK nuk po i ka numrat për të votuar Kryetarin e Parlamentit dhe për formimin e Qeverisë, atëherë do të dilni në opozitë apo ka zgjidhje tjera? A. Grabovci: Po e përsëris, ne, do ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Do t’i respektojmë procedurat. Nuk udhëhiqemi nga politika e yryshit ‘o mule burra se u ba kiameti’ edhe me humb arsyen për t’i siguruar vetës një pozicion që dikush po e kupton si privilegj dhe po harrojnë se kemi të bëjmë me përgjegjësi. Por, për të arritur ato përgjegjësi janë disa procedura të cilat duhet të respektohen. Së pari duhet të ndodh konstituimi i Kuvendit, votimi i Kryetarit dhe Kryesisë dhe pastaj vjen radha e Presidentes për mandatarin e Qeverisë së re. Normalisht, PDK do të bashkëpunoj me të gjithë, edhe deputetët edhe subjektet politike për të bërë më të mirën e mundshme që kjo të jetë në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe jetësimin e Misionit të Ri, për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës. Express: LDK nuk po dëshiron të bëjë koalicion me ju, as AAK, as Nisma e mos të flasim për VV. Si mund ta formoni Qeverinë e Kosovës kur dihet se duhen 61 vota? A. Grabovci: Asnjëherë gjatë mandatit tim të kaluar dhe as sot nuk do ta kemi problem numrat. Ne angazhohemi për institucione stabile dhe funksionale. Express: Partitë tjera kanë thënë se PDK ua ka ofruar edhe pozitën e Kryeministrit vetëm për të bashkëqeverisur. Sipas jush, cila është e vërteta e kësaj? A. Grabovci: E vërtet është se ata kanë shprehur një dëshirë të tyre që aq shumë kanë dëshirë të jenë Kryeministra saqë e humbin arsyen. Por, pozita e Kryeministrit nuk është fontanë dëshirash por është vlerësim që të bëjnë qytetarët e Kosovës. Ai vlerësim bëhet mbi bazën e punës, rezultateve dhe ndryshimeve që i bën në vend. Zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar se qytetarët i besojnë PDK’së. Qytetarët i kanë dhënë mandatin z. Thaçi për të vazhduar më tutje, për të vazhduar me realizimin e Misionit të Ri. Express: Shumëkush po e sheh zgjidhjen e këtij ngërçi politik te zgjedhjet e reja? A. Grabovci: Bllokadat që kanë ndodhur duhet të zhbllokohen. Duhet të merren masat e nevojshme. Për PDK’në është e panevojshme të shkohet në zgjedhje, mirëpo, nëse vërtetë vazhdon kështu, absolutisht, PDK do të jetë e gatshme edhe për zgjedhje të reja. Sepse ne nuk frikësohemi asnjëherë për të kërkuar besimin dhe vlerësimin e qytetarëve të Kosovës. Sepse zgjedhjet ne nuk i kuptojmë vetëm si votë por edhe si vlerësim që na bëjnë qytetarët për punën që kemi bërë. Nëse qytetarët të vlerësojnë edhe të mbështesin dhe ta japin besimin. Kjo ka ndodh dhe edhe në zgjedhjet e kaluara PDK është deklaruar se nuk u frikësohet zgjedhjeve të reja. Kolegëve të mi të opozitës së atëhershme, të tashme dhe të ardhshme, u kam thënë se do të hyjmë në zgjedhje dhe besimi i qytetarëve do të jetë në anën e PDK’së. Kjo është dëshmuar dhe ne jemi përsëri të gatshëm të dalim para qytetarëve sepse në fund të fundit qytetari është ai që jep vendimin dhe e përcakton se kush e meriton të udhëheq me vendin.
    [ më shumë ]
  • LAJME
    27.07.2014, 14:51

    Thaçi: Kosova duhet t’i çmojë hebrenjtë

    Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka çmuar lartë kontributin e PRESIDENTIT TË Izraelit Simon Perez. Sipas kryeministrit kosovar, këto ditë përfundoi mandatin presidencial një nga veteranët e politikës dhe paqe-bërjes globale, Presidenti Shimon Peres. Thotë se e mban mend historinë e tij të shtet-ndërtimit edhe përkundër që familja e Peresit ishte zhdukur në Holokaust. Më poshtë po e sjellim të plotë postimin e Thacit në Facebook. U bë president i Izraelit më 2007, kur edhe u takova me të gjatë një vizite qe e bëra në Jeruzalem dhe Tel-Aviv me ftesë të shtetit izraelit. Nobelisti Peres, edhe në atë kohë ishte përkrahës i pashoq i pavarësimit të Kosovës dhe shpesh ka spikatur publikisht pro-amerikanizmin e përbashkët të shqiptarëve dhe hebrenjëve. E mbaj në mend historinë e tij për shtet-ndërtim dhe paqe përkundër faktit që familja e tij në Poloni ishte zhdukur në Holokaust – krimin e pashoq në historinë moderne të njerëzimit. Edhe tek sa lutemi për paqe në Lindjen e Mesme, Kosova duhet të ketë kujdes t’i çmojë kontribuesit e lirisë dhe pavarësisë sonë nga populli hebre si Presidenti Peres, kongresmeni i ndjerë Tom Lantos, Sekretarja e Shtetit Madeleine K. Albright, Kongresmeni Eliot Engel, Senatori Charles Chuck Schumer e dhjetëra përfaqësues tjerë të popullit hebre. HTH (foto nga shpalosja e Gurit përkujtimor për hebrenjtë kosovarë që u zhdukën në kampet naziste të përqëndrimit)
    [ më shumë ]
  • LAJME
    27.07.2014, 13:17

    ‘Baballarët’ e Kosovës

    Enver Hasani dhe gjykatësit e tjerë të Kushtetueses janë në krye të listës së zyrtarëve më të paguar në Kosovë. Me gjithë kritikat se po përdorin standarde të dyfishta në ndarjen e drejtësisë, me vendimet e tyre në disa raste e kanë “dridhur” skenën politike në vend, shkruan Zëri. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë ndër zyrtarët më të paguar në Kosovës, të cilët me pagat e tyre, madje e tejkalojnë presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. I pari i kësaj GJykatë, Enver Hasani, i njohur në opinion me nofkën “Baba” merr pagë vjetore prej 42 mijë euro e 800 euro, rreth 3.600 euro në muaj, apo rreth 8000 më pak se Jahjaga. Përpos pagave, gjykatësit e Kushtetueses, marrin edhe benificione të tjera të majme./Zëri/
    [ më shumë ]
  • LAJME
    27.07.2014, 13:00

    Vrasje në Prizren

    Mbrëmë rreth orës 22 e 30 në Korishë të Prizrenit është vrarë me armë zjarri një person. Ai është qëlluar në kokë dhe ka ndërruar jetë në gjatë tretmanit mjekësor në Spitalin e Prizrenit. Policia e Kosovës ka dërguar të dyshuarin në mbajtje. Viktima dhe i dyshuari, që të dytë janë shtetas të Kosovës dhe të përkatësisë kombëtare shqiptare. Shkaqet e incidentit nuk dihen ende.
    [ më shumë ]
  • LAJME
    26.07.2014, 22:50

    13 vjeçari humb jetën në plazhin e Ksamilit

    Një ngjarje e rëndë njoftohet të ketë ndodhur këtë mbrëmje në brigjet e detit Jon.Një 13 vjeçar është gjetur i mbytur në plazhin e Ksamilit, në Sarandë. Sipas njoftimeve paraprake mësohet se 13 vjeçari dinte shumë mirë të notonte. Trupi i pajetë i E. D. u gjend në vendin e quajtur, Gjiri i Podes dhe është transportuar për në spitalin e Sarandës. Pritet ekspertiza për të dhënë shkaqet e vdekjes.
    [ më shumë ]
  • LAJME
    26.07.2014, 22:49

    9 fakte të çuditshme rreth aksidenteve ajrore

    Duket sikur viti 2014 ka qenë një vit veçanërisht shumë i keq për sigurinë e avionëve, me zhdukjen e avionit malajzian “Airlines Flight 370”, me të shtënat që iu bë avionit “MH17” në Ukrainë, dhe me përplasjen e fundit të avionit algjerian “TransAsia Airways”. Por është e rëndësishme të kujtojmë se mijëra aeroplanë fluturojnë çdo ditë. Megjithatë, rrëzimet e avionëve janë të rrallë. Në të vërtetë, të fluturosh është mënyra më e sigurt për të udhëtuar, pavarësisht nga përshtypja që ju mund të merrni duke parë CNN-in. Më poshtë janë disa nga arsyet kryesore rreth përplasjeve të avionëve, sa shpesh ndodhin ato, kur, ku, dhe pse. 1) Ose pothuajse të gjithë i mbijetojnë një aksidenti ajror, ose pothuajse askush nuk shpëton Një analizë e plotë nga qeveria e SHBA-ve rreth aksidenteve ajrore të viteve 1983-2000, doli në përfundimin se shumica e aksidenteve kanë një shkallë me të vërtetë të lartë mbijetese, nga 81 deri në 100 për qind. Por në një pjesë të vogël të aksidenteve, vetëm 0 deri në 20 për qind e njerëzve mbijetojnë. 2) Fluturimi është shumë më i sigurt se sa ngasja Rreziku i vdekjes si pasojë e ngasjes, në një udhëtim prej 100 miljesh në krahasim me atë fluturues, është më i lartë. 3) Frika nga fluturimet mund të çojë në rritjen e numrit të vdekjeve në rrugë Menjëherë pas 11 shtatorit, njerëzit po udhëtonin më pak me avionë dhe po ngisnin rreth 3 për qind më shumë. Hulumtuesi psikologjik Gerd Gigerenzer, vuri në dukje se kjo shtesë lëvizëse ishte përgjegjëse për 353 vdekje të tepërta në tre muajt e ardhshëm pas ngjarjes tragjike të 11 shtatorit. 4) Avionët janë duke u përplasur më pak dhe duke vrarë më pak njerëz Viti më i keq për vdekjet e shkaktuara nga fluturimet ajrore, ishte në 1972-shin. Është e qartë se ne nuk jemi duke jetuar në kohën më të rrezikshme për të fluturuar. 5) Vdekjet e pasagjerëve të aeroplanëve janë duke shkuar poshtë Gjatë katër dekadave të fundit rreth fatkeqësive ajrore, të shkaktuar si pasojë e një aksidenti të rastësishëm apo nga sulmet terroriste, ka rënë edhe numri i udhëtarëve. Kjo tregon se shumica e vdekjeve ka ndodhur për shkak të aksidenteve, dhe jo sulmeve terroriste. 6) Të paktën 88 avionë janë zhdukur që nga viti 1948 Kjo llogarijte është bërë nga Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit, një iniciativë e pavarur private, që ruan bazën e të dhënave të avionëve, ushtrisë, dhe aksidenteve e korporatave në të gjithë botën. Të 88 fluturimet u zhdukën krejtësisht pa lënë asnjë gjurmë të vetme. 7) Aeroplanët reaktivë janë përplasur më tepër gjatë momentit të ngjitjeve dhe zbritjeve 8) Të fluturuarit në Amerikën e Veriut është mënyra më e sigurt, se në Afrikë apo ish-Bashkimin Sovjetik Amerika e Veriut dhe Evropa janë vende mjaft të sigurta për të fluturuar. Megjithatë “Forbes” vë në dukje se fluturimet janë më të rrezikshme në disa vende të Afrikës dhe shtetet ish-sovjetike. 9) Pjesa më e sigurt e avionit mund të jetë prapa. Ose ndoshta jo. Në vitin 2007, Mekanika Popullore u kthye 36 vjet prapa në përplasjen fatale të SHBA-ve për të gjetur se ku ishin ulur njerëzit që mbijetuan. Ata arritën në përfundimin se pjesa e prapme e avionit ishte më e mira. Megjithatë, për shkak se përplasje të tilla janë aq të rralla, kanë qenë vetëm 20 raste të vëna në dispozicion për kryerjen e analizës. /Shekulli/
    [ më shumë ]
  • Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë dhe njëri nga imamët më me ndikim në vend, Shefqet Krasniqi ka thënë se ai nuk mund ta ndaloj konsumimin e Coca – Colës. Imami tha për Indeksonline se Coca – Colën ka kohë që nuk e konsumon, pasi që është jo e shëndetshme. “Coca – Colën unë për vete nuk e konsumoj moti. Nuk e konsumoj, sepse nuk shoh hajër në të asgjë. Për mua është pije e dëmshme, por nuk e ndaloj, dhe nuk guxoj me ba haram. Por, me preferu nuk e preferoj, sepse është e dëmshme”, tha Krasniqi. Por, Krasniqi më tej tha se nuk duhet të ndihmohet kundërshtari. “Paratë mund të shkojnë për ndihmë atyre që luftojnë kundër palestinezëve. Edhe ajo mund të jetë njëra prej shkaqeve. Sikurse, për shembull produktet e Serbisë, t’i konsumonim sa luftohej në Kosovë, normalisht që mund shkoj një pjesë e buxhetit për caçe çetnike e paramilitare. Dhe nuk duhet me ndihmu dushmanin dhe me luftue vëllaun tënd, se për ndryshe nuk mundemi me ndalu”, ka thënë në fund Shefqet Krasniqi. Mbrëmë, deputeti i PD-së në Kuvendin e Kosovës, Gëzim Kelmendi bëri thirrje që mos të konsumohet Coca-Cola dhe produketet e saj, si Fantan, Sprite-n dhe Schweppes-in. Arsyetimi i Kelmendit ka qenë se konsumimi i këtyre produkteve e “ndihmon Izraelin në luftë kundër palestinezëve në Rripin e Gazas”.
    [ më shumë ]

    Shefqet Krasniqi: Nuk është haram nëse konsumoni Coca – Cola

  • Të vdekurit në Gaza e kanë kaluar numrin 1000, 19 ditë pasi Izraeli nisi ofensivën kundër militantëve të Hamasit, bëjnë të ditur burimet mjekësore palestineze. Shifra publikohet, teksa është në fuqi një armëpushim 12-orësh, gjatë të cilit banorët e Gazës kanë mbledhur furnizimet jetike dhe kanë nxjerrë trupat e të afërmve nga gërmadhat. Një zëdhënës ushtarak izraelit ka bërë të ditur se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka rënë dakord për të zgjatur armëpushimin me 4 orë, që shkon kështu deri në mesnatë me orën lokale. Autoritetet në Gaza deklarojnë se mbi 100 trupa janë nxjerrë nga rrënojat e ndërtesave të bombarduara gjatë uljes së armëve, që nisi në orën 08:00 me orën lokale. Ndërkohë, rreth 5.870 palestinezë të tjerë kanë mbetur të plagosur nga luftimet. Të paktën 42 izraelitë janë vrarë që nga nisja e konfliktit më 8 korrik. Forcat Mbrojtëse të Izraelit deklarojnë se tre ushtarë mbetën të vrarë gjatë luftimeve në orët e natës, duke e çuar numrin e ushtarakëve të vrarë në 40, të cilëve u bashkohen edhe dy civilë. Ushtria izraelite ka deklaruar se do të vazhdojë të “lokalizojë dhe neutralizojë” tunelet e Hamasit gjatë armëpushimit.
    [ më shumë ]

    Gaza, 1000 viktima në 19 ditë

  • Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, nuk parasheh që Kosova të futet në një proces të jashtëzakonshëm zgjedhor, pavarësisht situatës së krijuar pas seancës konstituive të 17 korrikut. Në një prononcim për Politiko.net, ai ka thënë se pret krijimin e institucioneve të reja në bazë të Kushtetutës dhe votës së lirë të qytetarëve. “Nuk parashohim asnjë precedent të tillë. Parashohim zhvillim të institucioneve të Kosovës në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me votën e lirë të qytetarëve. Ata që e duan kaosin dhe tentojnë të krijojnë anarki në Kosovë, duke e destabilizuar sistemin politik të Kosovës, mund ta çojnë në drejtim të tillë”, thotë ai. Sipas tij, ka shumë vende ku partia e dytë, e tretë, kanë themeluar Qeverinë e tyre nëse kanë mundur të arrijnë votat. “Prandaj, e njëjta gjë është në Kosovë. Merrni shembuj në botë dhe do ta shihni që demokracia zhvillohet atëherë që kur i jepet mundësia që vota shumicë të vendosë”. Ahmet Isufi, i cili nuk ka arritur të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për ta fituar edhe një mandat si deputet, konsideron se Kosova nuk është në ngërç politik, pasi tanimë veç është zgjedhur Kryetari i Kuvendit. “Duhet të bëhen zhvillimet e duhura sa më shpejt nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që të hapet rruga për krijimin e institucioneve të reja”, ka deklaruar Ahmet Isufi. /Politiko.net/
    [ më shumë ]

    Jo zgjedhje, po institucione

  • Drejtori i Ekonomisë dhe Financave të Prizrenit, Mehmet Bytyc, nuk e kishte problem çështjen financiare për t’i kënaqur epshet e tij seksuale. Ai dyshohet se ka paguar me para ‘kohën seksuale’ me të miturën. Për këtë dyshim, Bytyc ishte nën hetim të policisë, që një kohë të gjatë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadria tha se i dyshuari është arrestuar pas denoncimit të rastit nga një femër tjetër, e cila është arrestuar muaj më parë. “Ky rast është hetuar që një kohë nga Policia e Kosovës, pasi që një vajzë e arrestuar ka treguar për rastet e paguara seksuale”, tha Sadria për “PrizrenPress”. Sipas tij, gjatë hetimeve ka rezultuar që edhe Bytyc ka qenë pjesë e këtyre “pazareve”. “Arrestimi i tij është bërë pasi që e arrestuara femër kishte treguar që i dyshuari është në një lidhje më të miturën. Pas hetimeve, ka rezultuar edhe arrestimi”, tregon Sadria. Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar një muaj arrest shtëpiak për Mehmet Bytycin. Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja ka shkarkuar nga posti i drejtorit të Drejtorisë së Financave. /PrizrenPress.com/
    [ më shumë ]

    Skandaloze: Drejtori turk i Komunës së Prizrenit paguante seks me para

  • Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, sot është takuar në Mitrovicë me anëtarin e Kryesisë së PDK-së dhe njëherësh ministrin në detyrë të MPB-së, Bajram Rexhepin, bëjnë të ditur burime te portalit Veriu.info. Në këtë takim kanë qenë ta pranishëm edhe disa figura të PDK-së nga Mitrovica, si dhe drejtori i Akademisë të Kosovës për Siguri Publike, Ismajl Smakiqi, i cili në kohën kur Bajram Rexhepi ishte kryetar i Mitrovicës, ai ishte nënkryetar i kësaj komune. Burimi i Veriu.info ka treguar se takimi është zhvilluar sot rreth orës 11:00 në restorantin Okarina në Mitrovicë. “Fillimisht aty ka shkuar Enver Hasani, pastaj doktor Adem Nura me disa eksponent të PDK-së të Mitrovicës. Më pastaj aty ka ardhur Bajram Rexhepi nga hyrja dytësore e lokalit. Bajram Rexhepi ka qëndruar shumë pak dhe ka zhvilluar një bisedë aspak miqësore me Enver Hasanin. Pas shkuarjes Bajram Rexhepit, Enver Hasani ka vazhduar bisedën me Ismajl Smakiqin dhe Adem Nurën. Mirëpo, u doke që Enveri po i kundërshton shumë”, thotë burimi i Veriu.info. “Krejt biseda është zhvilluar për çështjen e Kryetarit të Kuvendit”, thotë burimi. Kujtojmë se PDK e ka dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, me të cilën kontestohet zgjedhja e Isa Mustafës në postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja pastaj ka marrë një vendim të përkohshëm, duke e pezulluar Mustafën nga kjo detyrë, deri në marrjen e vendimit për ankesën e PDK-së. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, shumë herë në media është quajtur si person i afërt me PDK-në. Koalicioni LDK-AAK-NISMA dhe opinionistët e kanë kritikuar veprimin e tij të fundit për pezullimin e Mustafës, për shkak të shpejtësisë së marrjes së vendimit, duke pasur parasysh se kjo gjykatë ende nuk ka marrë një vendim për anëtarin e saj, Kadri Kryeziun, i cili në fushatën e fundit zgjedhore ka marrë pjesë në një tubim të PDK-së, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar për gjykatësit e Kushtetueses.
    [ më shumë ]

    Bajram Rexhepi takohet me Enver Hasanin në Mitrovicë, thuhet se takimi nuk ishte miqësor

  • Sabit Geci, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Sylejman Selimi,Ismet Haxha dhe Sami Lushtaku, të gjithë kanë dal të jenë shëndosh e mirë e pa nevojë që të shtrohen në spital. Eulexi e ka konfirmuar këtë për KTV-në, duke thënë se mjeku ndërkombëtarë që e ka kryer ekzaminimet e nevojshme për ta, ka vlerësuar se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore. Kështu, tash e tutje, të pandehurit në grupi e parë në rastin “Drenica” do të mund të trajtohen në qendrën e paraburgimit në Dubravë, e në QKUK mund të bëjnë vetëm vizita. Ekzaminim ishte kryer me kërkesë të Kryetarit të trupit gjykues të cilët vazhdimisht kanë dyshuar në raportet e mjekëve kosovarë sepse në bazë të tyre, pjestarët e Grupit të Drenicës kanë qëndruar më shumë kohë, se në paraburgim. Disa kanë kryer edhe intervenime kirurgjike.
    [ më shumë ]

    “Grupi i Drenicës” s’ka nevojë për QKUK

  • Një pllakë mermeri ka rënë nga kati i pestë i një ndërtese dhe ka goditur një kalimtare të rastit, e cila nga plagët e marra ka ndërruar jetë në QKUK në Prishtinë, ku ishte transportuar për mekim. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës, toger Agim Gashi. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.45 në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj. Viktima 28 vjeçare, ka ndërruar gjysmë ore pas aksidentit fatal. Sipas burimeve, në momentin kritik ajo po ecte trotuarit të rrugës, ndërsa pas aksidentit ajo është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, ndërsa për shkak të lëndimeve të renda është transportuar në QKUK, ku ka ndërruar jetë. në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit. Jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për një femër kosovare me nënshtetësi zvicerane. Me rastin janë duke u marrë hetuesit policorë,transmeton express.
    [ më shumë ]

    Vdes qytetarja që u godit nga pllaka e rënë prej ballkonit në Ferizaj

  • Lutfi Haziri nuk po i merr me shumë seriozitet akuzat dhe dërgimin e lëndëve në Prokurori kundër qeverisjes së tij nga ana e PDK-së. Haziri tha se krejt këto akuza të PDK-së po bëhen për shkak se ata ndodhen në panik nga zbardha e dosjeve për qeverisjen e tyre dhe keqpërdorimet e shumta që kemi gjetur. Heshtja e Hazirit e ka një arsyetim që sipas tij ka të bëjë me panikun që po mbretëron në kampin e PDK-së. “Krejt këto akuza të PDK-së po bëhen për shkak se ata ndodhen në panik nga zbardhja e dosjeve për qeverisjen e tyre dhe keqpërdorimet e shumta”, tha Haziri. Haziri tha se zyrtarët e tij kanë konstatuar gjetje të shumta në qeverisjen e PDK-së dhe tani janë grumbulluar një numër i madh i dosjeve dhe rasteve ku janë konstatuar lëshime dhe tani ato vepra veç janë duke u hetuar. ”Pos këtyre rasteve që janë duke u hetuar do të dërgohen edhe një numër tjetër për hetime. Keqpërdorimet dhe abuzimet nuk mund të fshihen duke akuzuar rrejshëm të tjerët. Kur hajni bënë me gisht-kjo i përngjanë atij”, tha me ironi Haziri. /rajonipress/
    [ më shumë ]

    Haziri: PDK ndodhet në panik sepse po ua zbardhim keqpërdorimet

  • Ministri i Punës dhe Mirqënies Sociale në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin e ka vizituar sot kishin ortodokse në Prizren dhe konakun e posa ndërtuar aty dhe ka vlerësuar se “kjo tregon se Kosova mbetët këtu”. “Kjo është hera e parë qe manastiri Arhangeli i Shënjtë, që nga rrënimi në kohën e Perandorisë Osmane, renovohet në këtë mënyrë kaq komplekse”, ka thënë Vulin në Prizren dhe ka shtuar se “kjo më së miri tregon që serbët do të qëndrojnë këtu dhe të vazhdojnë me jetën e tyre”. I pyetur se kujt do t’i japin mbështetje serbët e Kosovës, Hashim Thaçit apo Ramush Haradinajt, Vulin ka thënë se kjo pyetje është për “Listën Srpska” dhe për serbët në Kosovës, sepse ata janë “njerëz të rritur, serioz dhe të cilët vendosin vet për të ardhmen e tyre”. “Serbët në Kosovë nuk janë kukull e askujt, ata vendosin vet, kurse ne jemi aty, natyrisht, që të ndihmojmë. Natyrisht se Qeveria e Serbisë e ka qëndrimin e vet, por ky qëndrim gjithmonë është qëndrim i serbëve të Kosovës”, ka thënë ai.
    [ më shumë ]

    Serbët të vendosin vet nëse duan të shkojnë me Thaçin ose Haradinajn

  • Agjencia e Sigurisë Kombëtare amerikane (NSA) kishte zhvilluar një sistem kompjuterik për përpunimin e sinjaleve të inteligjencës të koduar (NYMROD), me aftësinë për të procesuar miliona raporte dhe për të zgjedhur informacione në lidhje me individë nga të dhënat telefonike, faksi dhe të dhënave kompjuterike. Në mesin e të përgjuarve ka qenë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. NSA në vitin 2009 kishte përgjuar edhe liderët shtetrorë të Ballkanit, duke përfshirë këtu, kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, ish presidentin serb Boris Tadiq, kryeministrin e Federatës së Bosnje dhe Herzegovinës Nexhat Brankoviq dhe presidentin e atëhershëm kroat Stipe Mesiq, ka njoftuar biblioteka dixhitale “Kriptom”, e cila merret me zbulimin e dokumenteve konfidenciale, shkruan lajmi.net. Përveç këtyre, NSA ka spiunuar dhe liderët si, Vladimir Putin e Dimitri Medvedev, grekun Kostas Karamanlis, francezin, Nicolas Sarkozi, Raul Castron e Kubës dhe atë të Afganistanit Hamid Karzai.
    [ më shumë ]

    Inteligjenca amerikane spiunoi Thaçin, Berishën e Tadiçin

  • Një ditë pasi Lideri I LDK’së Isa Mustaga kritikoi Presidentin Atifete Jahjaga e cila sipas tij po lejon rrezikimin e demokracisë duke mos vepruar përballë zhvillimeve në vend, është përgjigjur edhe Zyra e Presidentes duke thënë se shefja e shtetit nuk ka qëndruar asnjëherë indiferente ndaj zhvillimeve në skenën politike dhe se ajo ndikohet vetëm nga Kushtetuta. Ndërkaq kritikave të kandidatit për Kryeministër Ramush Haradinajt I cili është ankuar se Presidentja nuk po I nis kosnultimet me partitë për formimin e qeverisë, Zyra e Presidentes ka thënë se gjithcka do të bëhet në përputhje me normat ligjore dhe duke respektuar afatet. Ajo ka bërë thirrje që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese ndërsa u ka bërë thirrje deputetëve të ndihmuar në radhë të parë vetveten, për ndërtimin e një institucioni jashtëzakonisht të nevojshëm. Më poshtë mund ta lexoni reagimin. Deklaratë e Zyrës së Presidentes Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se Presidentja Jahjaga në asnjë moment nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve që po ndodhin në skenën politike dhe në asnjë mënyrë nuk i ka anashkaluar ato. Në një situatë të polarizimeve të skajshme politike, duke bërë thirrje për qetësi dhe për pjekuri politike të secilës palë, në respektim të votës së qytetarëve të vendit, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, kërkon zbatim të normave demokratike dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët si dhe respektim të autonomisë së institucioneve të shtetit. Duke qenë institucioni me mandat të plotë, në kohën kur pritet krijimi i institucioneve të reja, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës thekson se do të vazhdojë pandërprerë që të sigurojë ndërtimin e një proces kredibil, duke garantuar funksionimin demokratik të institucioneve. Në demokracitë parlamentare ndërhyrjet e një institucioni në çështjet e institucioneve të tjera konsiderohen shkelje të ndarjes së pushteteve dhe të Kushtetutës, që në çdo rast do të shiheshin si veprime jashtë mandatit dhe kompetencave të Presidentes së vendit. Kuvendi i Kosovës, me deputetët që janë betuar, duhet të gjejë forcën, kurajën dhe guximin për të ndihmuar në radhë të parë vetveten, për ndërtimin e një institucioni jashtëzakonisht të nevojshëm për këtë periudhë kohore, nëpër të cilën po kalon vendi. Proceset e nisura në Gjykatën Kushtetuese, gardianit të Kushtetutës së vendit, duhet të ndihmojnë në ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe në ndërtimin e një shteti ligjor, dhe vendimet e këtij institucioni të pavarur gjyqësor duhet të respektohen dhe zbatohen në plotëni nga të gjithë. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, rithekson edhe njëherë faktin se vendimi për hapat e mëtejmë në ndërtimin e institucioneve të vendit, pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, do të bëhet në përputhje me normat ligjore, duke respektuar çdo afat të përcaktuar me Kushtetutë dhe duke mos cenuar të drejtën e asnjë pale në proces. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës i garanton të gjithë qytetarët e vendit, në përgjithësi, dhe të gjitha subjektet politike në veçanti, se ajo do të ndikohet vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila do të respektohet dhe zbatohet në tërësi, në çdo kohë, në çdo rast dhe në çdo mënyrë./zeri/
    [ më shumë ]

    Atifete Jahjaga i kundërpërgjigjet Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt